LETËR E HAPUR PRESIDENTIT MACRON NGA SHOQËRIA CIVILE E KOSOVËS

I nderuar President Macron,

Dëshirojmë t’ju përgëzojmë për rizgjedhjen! Fitorja juaj vjen në një moment të rëndësishëm për Francën, Evropën dhe botën. Megjithëse në muajt dhe vitet e ardhshme ju do të jeni me të drejtë të preokupuar me shqetësimet dhe mirëqenien e popullit francez, sytë e botës janë kthyer sërish drejt Francës për ta udhëhequr botën në këto kohë të vështira.

Dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij. Si i tillë, ky proces ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i TË GJITHA vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku, shumëzuar me dy. Ose për ta thënë ndryshe, i gjithë procesi i aderimit për Kroacinë, që nga statusi i kandidatit e deri tek anëtarësimi i plotë, zgjati më pak sesa procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që nga fillimi, u krijua për të qenë i vështirë. Fillimisht, lutja e Kosovës për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave u refuzua ashpër. Ne, qytetarët e Kosovës, i vështronim me dëshpërim qytetarët e vendeve tjera të rajonit duke e gëzuar të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm nëpër BE. Dhe kur më në fund erdhi momenti në vitin 2012 për të filluar procesin e liberalizimit të vizave, Kosovës iu dorëzua një udhërrëfyes i cili përmbante dy herë më shumë kritere sesa për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përkundër kësaj, Kosova përgjatë gjashtë viteve të ardhshme i përmbushi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo gjë u konfirmua zyrtarisht në korrik të vitit 2018, dhe më pas u rikonfirmua përsëri disa herë nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Thirrjet e vazhdueshme drejtuar Këshillit të BE-së për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës kanë qenë pa rezultat. 

Tregimi për venitjen e premtimit për liberalizim të vizave nga BE-ja është përcjellë me lulëzimin demokratik të Kosovës. Vitin e kaluar Kosova rikonfirmoi pjekurinë e saj demokratike me zgjedhje shembullore dhe tranzicion të lehtë të pushtetit. Që atëherë, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha frontet. Përpjekjet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vënë në dukje nga Transparency International. Në raportin e saj të fundit, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori. Ngjashëm, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori dhe është renditur më lartë se asnjëherë sa i përket cilësisë së demokracisë së saj, sipas raportit të fundit të Freedom House. Në këtë aspekt, nuk ishte befasi kur disa ditë më parë Reporerët pa kufinj publikuan renditjen më të lartë të Kosovës në dhjetë vitet e fundit. Me pak fjalë, vendi ynë sot është më i lirë e më demokratik se kurrë më parë. Dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse Kosova shënoi vitin e kaluar numrin e dytë më të ulët të azilkërkuesve në BE nga të gjitha vendet e rajonit, sipas Eurostat.

Kosova është vend i vogël, por përkundër vogëlsisë gjeografike, u rreshtua përkrah dhe mbështeti përpjekjet e Aleatëve për paqe globale. Vitin e kaluar Kosova strehoi më shumë se 1300 të evakuuar afganë duke treguar kësisoj jo vetëm solidaritet me refugjatët, por edhe përkushtimin tonë të vërtetë dhe afatgjatë ndaj NATO-s. Kosova është në harmoni të plotë me politikën e jashtme të BE-së në aspektin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ka treguar gatishmërinë e saj për të akomoduar 5000 refugjatë ukrainas, ndërkohë që veç ka filluar të akomodojë gazetarë ukrainas. Shoqëria civile e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat e BE-së në baza ditore dhe e konsideron perspektivën e BE-së si rrugën e vetme për ndërtimin e një shoqërie demokratike. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Kosovës, pasi BE-ja ende gëzon mbështetje pothuajse absolute në mesin e popullsisë së Kosovës, me afër 94% mbështetje. Ky është tregues i qartë i përkushtimit për integrimin, standardet dhe vlerat e BE-së nga të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare.

Përderisa institucionet e Kosovës vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme sociale, ekonomike dhe politike, ne shoqëria civile vazhdojmë ta mbajmë qeverinë tonë përgjegjëse. Ne presim që institucionet shtetërore të shumëfishojnë përpjekjet e tyre në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, për të na fuqizuar në aspektin e shfrytëzimit të perspektivës së BE-së si kornizë e besueshme që do të nxiste avancimin e reformave në vazhdim, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian të besueshëm që respekton premtimet e veta.

Lëvizja e lirë e njerëzve paraqet të drejtë themelore të njeriut dhe promovon zhvillimin socio-ekonomik. Këtë izolim në mënyrë joproporcionale e vuajnë qytetarët e thjeshtë, të rinjtë e të rejat dhe studentët, aktivistët e shoqërisë civile, komuniteti i biznesit, si dhe ata që kanë nevojë për trajtim mjekësor në vendet e BE-së. Vazhdimi i izolimit vetëm se do të nxisë qytetarët e zakonshëm që të gjejnë rrugë alternative për të udhëtuar për arsye legjitime, e ato rrugë janë shpesh të paligjshme, të kushtueshme dhe të rrezikshme.

Meqë Komisionit Evropian i është kërkuar të përgatisë opinione formale për gatishmërinë e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për të filluar procesin e anëtarësimit në BE, Këshilli i BE-së pritet të diskutojë aplikimin e tyre në takimin e muajit qershor. Ne, sinqerisht i mirëpresim këto përpjekje! Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje BE-së të njohë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor si pjesë kyçe e arkitekturës evropiane të sigurisë, duke pasur parasysh përpjekjet e Rusisë për të minuar konsolidimin e vazhdueshëm të progresit demokratik dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe hapja e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jetë pikënisja e këtij diskutimi. 

Në këtë këndvështrim, ne i bëjmë thirrje Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së të përforcojë ndikimin afatgjatë të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Sharl de Gol ka thënë: “Franca nuk mund të jetë Francë pa madhështi”. Nuk ka pasur ndonjëherë kohë më të përshtatshme për ta treguar këtë madhështi. Prandaj, i bëjmë thirrje Francës që ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim me padurim Konferencën e Parisit për Ballkanin Perëndimor i cili mbahet në qershor dhe shpresojmë se i njëjti mund të jetë moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së.

Me respekt,

  1. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
  2. Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK)
  3. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
  4. Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
  5. Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu!
  6. Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
  7. Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova (KDI/TI)
  8. Community Building Mitrovicë (CBM)
  9. Qendra për Avokim, Trajnim e Burime (ATRC)
  10. Open Data Kosovo (ODK)
  11. Artpolis – Qendra për art dhe komunitet (Artpolis)
  12. Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
  13. YMCA Kosovë
  14. Emancimi Civil Ma Ndryshe (EC Ma Ndryshe)
  15. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
  16. Lëvizja FOL
  17. Syri i Vizionit (SiV)
  18. Balkan Sunflowers Kosovë (BSK)
  19. Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK)
  20. Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj)
  21. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham)
  22. Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij Kosovë (CHwB)
  23. Internews Kosova
  24. Fondacioni Lumbardhi
  25. Rrjeti i organizatave BONEVET
  26. Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K)
  27. Qendra e Kosovës për Arsim (KEC)
  28. Instituti RIINVEST
  29. Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK)
  30. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
  31. Grupi i Ballkanit për Hulumtim të Politikave (BPRG)
  32. Instituti GAP për studime të avancuara
  33. Demokraci për Zhvillim (D4D)
  34. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT)
  35. Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC)
  36. Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK)
  37. Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
  38. Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut në Kosovë (YIHR-KS)
  39. Gratë për Gratë Kosovë (K-W4W)
  40. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
  41. OJQ Aktiv
  42. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
  43. New Social Initiative (NSI)
  44. Labirint
  45. OJQ ETEA
  46. Shoqata Rinore për të Drejtat e Njeriut (YAHR)
  47. Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan (SHIP)
  48. OJQ Integra
  49. OJQ Zana Klinë
  50. Autostrada Biennale
  51. Shoqata e Grave të Mitrovicës për të drejta të njeriut (MWAHR)
  52. Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK)
  53. Fondacioni Kosovar për Ndermarresi Sociale
  54. Qendra për Barazi dhe Liri (CEL)
  55. Let’s Do It Peja
  56. Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD)
  57. OJQ Vision 02
  58. Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF)
  59. Sbunker
  60. Fondacioni Shtatëmbëdhjetë (F17)
  61. Qendra Kosovare për Arsim në Distancë (KCDE)
  62. Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK)
  63. Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve në Kosovë (PRAK)
  64. Demokracia fillon këtu (DFK)
  65. Fondacioni Jeshil (Jeshil)
  66. Fondacioni IPKO
  67. Qendra për Kurajo Politike (CPC)
  68. Shoqata e Grave Aureola
  69. Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtje të fëmijëve në Kosovë (KOMF)
  70. Network of Peace Movement (NOPM)
  71. Forumi i Ballkanit
  72. Shoqata e të Verbërve të Kosovës (SHVK)
  73. GERMIN
  74. ROMA VERSITAS
  75. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC)
  76. Shoqata e Grave “Dora Dorës”
  77. Shoqata Profesionale Mjekësore (PHA)
  78. Instituti për Zhvillimin e Shoqërisë Civile “Innovate”
  79. ANIBAR
  80. Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)
  81. NGO Polis

VERZIONI NË GJUHËN FRËNGE I LETRËS