Uji i pijshëm në Kosovë: Propozime për #zgjidhje
Iniciativa #zgjidhje mbajti debatin e parë që u transmetua drejtpërdrejtë në TV Festina si dhe në rrjete shoqërore.
Tema e debatit: Nga 3 zgjidhje për: 1) mungesën e ujit të pijshëm, 2) luftimin e varfërisë (përfshi atë të skajshme), 3) luftimin e diskriminimit ndaj grave, të rinjve, personave me aftësi të kufizuara, komuniteteve, dhe grupeve tjera shoqërore.
Pjesëmarrës në debat ishin:
- Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Prishtinë.
- Fikrije Ferizi nga Qendra e Gruas “ATO“ në Vushtrri.
- Gentiana Zeqiri nga Iniciativa Qytetare në Skënderaj.
- Halil Kurmehaj nga Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës me seli në Prishtinë.
- Emrah Cermjani nga Roma in Action me seli në Gjakovë.
- Erblin Hoxha, nga Qendra e Debatit me seli në Prishtinë.
Nga diskutimet të bazuara edhe në hulumtime dhe statistika, dolën këto propozime:
UJI I PIJSHËM - Propozime për zgjidhje:
- Investimi në 6 pika kryesore (liqene artificiale) grumbulluese të ujit në Kosovë (përmirësim dhe mirëmbjatjte).
- Përmirësim të infrastrukturës (rrjetit) shpërndarëse të ujit të pijshëm, si dhe zbatim të drejtë të ligjit si për lejet e ndërtimit, shfrytëzimit të ujit (autolarjet, përdorimi i ujit të pijshëm për bujqësi; përdorimi nga bizneset e ndryshme për ftohje, prodhim të lëngjeve e arsye tjera; komercializimi i burimeve natyrore – shitja e ujit dhe pagesa e tatimit, etj).
- Edukimi dhe vetëdijësimi për shfrytëzim të arsyeshëm të ujit të pijshëm; në çështje praktike si pastrimi, përdorimi për gatim, pastrim në amvisëri, etj., me synim ndryshimin e sjelljes në raport me përdorimin e ujit të pijshëm.
- Trajtimi dhe kontrolli sistematik i cilësisë së ujit të pijshëm.
- Ofrimi i informacionit të mjaftueshëm dhe të përditësuar (dhe komunikimi i rregullt me qytetarë përmes kanaleve të ndryshme) për sasinë e ujit të pijshëm, mungesën/kufizimet, cilësinë, shfrytëzimin, çmimin, etj. Sidomos metoda dhe kanale komunikimi dhe ofrim informacioni për grupe të ndryshme shoqërore, si dhe për gratë të cilat në 95% të rasteve janë përdoruese kryesore të ujit për nevoja të familjes (gatim, pastrim, etj).
- Sigurimi i ujit të pijshëm për të gjithë qytetarët (jo vetëm qasje në rrjet të ujit të pijshëm), dhe siguria e cilësisë së ujit të pijshëm (pastrimi nga ndotësit).
- Të investohet në realizimin e projektit të Pendës së Kuçicës dhe në pendat tjera në komuna të ndryshme të Kosovës në të cilat ekzistojnë ose eksplorohen mundësi të tilla.
- OJQ-të mund të luajnë rol kyç në vetëdijësim për ujin e pijshëm. Pra, një bashkëpunim më i ngushtë në mes të OJQ-ve në njërën anë dhe i OJQ-ve me institucione publike në Kosovë në anën tjetër, dhe me qytetarë në vendet në të cilat veprojnë.
Gjeni më poshtë pdf me përmbledhje 2 faqëshe e cila ofron detaje për problemet, statistikat/të dhënat dhe rekomandimet: