Në gusht të vitit 2019, Forumi Ballkanik ka udhëtuar për në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të kërkojë zonat me trashëgimi të rëndësishme kulturore dhe natyrore, dhe potencial turistik, megjithatë, më pak të njohura në rajon dhe ndërkombëtarisht. Qëllimi ynë është të promovojmë rajonin e Ballkanit Perëndimor të larmishëm dhe të pasur me resurse, dhe të kontribuojmë në zhvillimin e një imazhi dhe tregimi pozitiv duke theksuar mundësi të ndryshme për zhvillimin lokal, duke inkurajuar njerëzit në të gjithë rajonin të hulumtojnë resurset lokale dhe të investojnë në lokalitetet e tyre, dhe duke promovuar përfitimet e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërsektorial në rajon.
Ky udhëtim ishte një frymëzim i vërtetë për ne, jo sepse ne nuk dimë shumë për rajonin, por sepse nuk jemi të vetëdijshëm, siç besojmë se shumë njerëz në rajon nuk janë, për vende të ndryshme, trashëgiminë e pasur, resurset dhe vlerat që kemi në vendet tona, dhe posaçërisht për mikëpritjen dhe njerëzit të këndshëm – pothuajse të vështirë për të gjetur diku tjetër në botë. Në këtë udhëtim takuam personat të cilat – pas shumë vitesh jetese dhe pune në Zvicër, Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër në botë – u kthyen përsëri në rajon dhe filluan punët familjare.
Në këto lokacione, të cilat janë një pjesë e pasurisë së rajonit tonë, kemi bërë mbi 20 intervista me prodhuesit lokalë dhe operatorët e turizmit, dhe kemi nxjerrë perspektiva të rëndësishme nga vizitorët e huaj – belgë, holandezë, gjermanë dhe italianë - të cilët lavdërojnë njerëzit që jetojnë në këto zona për mikpritjen e madhe dhe përshkruajnë natyrën si jashtëzakonisht mahnitëse. Një turist nga Belgjika tha: “Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë shumë afër vendit tonë, megjithatë, shumë larg nga realiteti ynë”, ndërsa një turist italian të cilin e takuam në Maqedoninë e Veriut tha: “është e ngjashme me zonat në Itali, por me një aromë të ndryshme”.
Vendet e para që i vizituam ishin Prevallë dhe Rugovë në Kosovë me florën e faunën mbresëlënëse dhe bukurinë natyrore të maleve të Sharrit, Majën e Lybetenit, Alpet e Shqipërisë, Grykën e Rugovës, lumenjtë Drini dhe Lumbardhi, ku takuam personat karizmatikë që merren me punët familiare si prodhues lokalë dhe operatorë turizmi dhe ofrojnë një ushqim të shijshëm organik, të prodhuar në vend, duke përfshirë akomodimin dhe pjatat tradicionale për vizitorët lokalë dhe të huaj.
Vazhduam për në Vuthaj, Danilovgrad dhe Tuzi në Mal të Zi, ku peizazhi mbresëlënës me liqene, burime uji, lumenj, gryka dhe male janë aq të mahnitshëm sa bregdeti i vendit, ku lulëzimi i turizmit malor është bërë një burim i shkëlqyeshëm i punësimit dhe zhvillimit lokal. Ndërsa prodhuesit e produkteve bujqësore, bimëve perimesh dhe farërave po furnizojnë tregjet lokale, kryeqytetin e vendit dhe qytetet me plazhe të njohura që tërheqin qindra mijëra turistë çdo vit.
Pastaj kishim një udhëtim magjepsës për në Belsh, Bulqizë dhe Peshkopi në Shqipëri, përgjatë një rruge malore të lakuar, plot me lumenj, liqene, lixha, shtëpi tradicionale të quajtura “kulla” dhe pamje mrekullueshme, të cilat ofrojnë mundësi të shumta për zhvillimin lokal në këto zona. Bregdeti i bukur i Shqipërisë po tërheq çdo vit qindra mijëra vizitorë gjatë sezonit të verës. Ndërsa investimet serioze të bëra në zhvillimin e shpejtë të turizmit malor, ekologjik, shëndetësor dhe aventuristik, shpejt po e kthejnë vendin në një “top” destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
Nga fshati Rostushe në qytetin e Velesit në Maqedoninë e Veriut, kemi qenë dëshmitarë të trashëgimisë së jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore, dhe mësuam për ide inovative, në një vend ku sektori IT gjithashtu po arrin kulmin e tij.
Në Prevallë, prodhuesit lokalë të mjaltit, qumështit, frutave, bimëve mjekësore dhe bujqësisë së deleve, merren me punët familjare të cilat punësojnë 5-20 vetë, kryesisht anëtarët e familjes së tyre, por edhe njerëz nga fshatrat, bashkitë dhe vendet fqinje. Disa prej tyre kanë një traditë të gjatë që zgjat rreth 200 vjet. Kjo i ndihmon të jetojnë mirë, të punësojnë anëtarët e familjes dhe të fitojnë të ardhura për arsimimin e fëmijëve të tyre dhe për rritjen e punës së tyre. Produktet e tyre natyrore dhe organike blejnë familjet, turistët, dyqanet dhe kompani tregtare në Kosovë dhe në rajon.
Bujtinat janë një industri e re e në rritje në Kosovë dhe në rajon. Familja Nikqi në fshatin Hajle, që është një nga pjesët më të bukura të luginës së Rugovës, e filloi këtë punë disa vjet më parë me një bujtinë, dhe e zgjati në pesë, në të cilën të gjithë anëtarët e familjes po punojnë. Turistëve u shërbehen ushqime tradicionale dhe produkte bujqësore të rritura nga nikoqiri, fqinjët dhe familjet e tjera që jetojnë në fshatrat e tjerë të luginës së Rugovës.
Në Vuthaj, zona e Gucisë në Mal të Zi, familja Ulaj ka një bujtinë, një shtëpi tradicionale pothuajse 200 vjeçare të quajtur “kulla” ku qindra vizitorë nga vende të ndryshme të botës vendosen çdo vit. Këtu u njohëm me një familje nga Brukseli që ka bërë një ecje bjeshkatare përtej kufijve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe që e ka përshkruar zonën si jashtëzakonisht të bukur me lumenj të pastër, florë dhe faunë të pasur dhe një mjedis të pastër, pa zhurmë dhe ndotës të mëdhenj.
Në Danilovgrad, familja Radonjiq merret me bujqësinë bimore – perimet dhe lulet – për gati 30 vjet. Bimët e tyre – rreth një gjysmë milioni për vit, blejnë bujqit lokalë, tre farmaci bujqësore në qytetet e bukura bregdetare, dhe kompani të tjera në Mal të Zi.
Familja Camaj në Tuzi, çdo vit rritet dhjetëra tonë pjepër dhe shalqi, patate, spec, domate dhe misër, të cilat kryesisht blejnë dyqanet lokale në Tuzi dhe kryeqytetin Podgoricë, dhe një rrjet e supermarketeve dhe kompani në të gjithë Malin e Zi.
Belshi është një komunë e vogël në Shqipëri, jo shumë e njohur për 84 liqene të saj të mrekullueshme natyrore, e cila shpejt kthehet në një destinacion i rëndësishëm turistik. Investimet serioze nga ana e autoriteteve lokale në infrastrukturë dhe mjedis kanë për qëllim ta kthejnë Belshin në një vend të cilin turistët duhet të vizitojnë domosdo.
Bulqiza – një komunë në Shqipëri, është shumë e famshme për minierat e saj të kromit, rezervën më të madhe të kromit në Shqipëri dhe një nga më të madhe në Evropë. Zona gjithashtu është e njohur për shtëpitë e vjetra tradicionale të quajtura “kulla”, një e ruajtur mirë, e vjetër më shumë se 200 vjet, është në pronësi të familjes Hupi. Është kthyer në një bujtinë dhe po tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga rajoni dhe gjithë bota.
Peshkopi, një qytet në Qarkun e Dibrës, në verilindje të Shqipërisë, është i njohur për llixhat e tij, të cilat vizitohen turistët kryesisht nga zona të tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe nga Mali i Zi dhe Serbia.
Ujëvara e Dufit, afër fshatit Rostushe, është një ujëvarë e mrekullueshme e vendosur në parkun kombëtar të Mavrovës në pjesën veriore të Maqedonisë së Veriut. Rostushe është një vend i vogël me trashëgimi të pasur natyrore dhe kulturore dhe një hap larg nga llixhat e njohura, të cilat tërheqin një numër të madh të vizitorëve lokalë dhe të huaj.
Qyteti i Velesit – i vendosur në pjesën qendrore të Maqedonisë së Veriut – është i njohur si qendër industriale, dhe së fundi si një lider në industrinë e IT-së. Në Veles, Dimçe Açkov, po promovon një botë më të mirë duke dhënë një shembull personal se si mund të bëhet kjo me pak përpjekje dhe pothuajse pa para. Dimçe po ndërton një eko fshat të quajtur Kënaqësi Jeshile (Green Bliss), i cili është një ndërmarrje shumë unike në Ballkanin Perëndimor, dhe ai po fton njerëzit të bashkohen për të ndërtuar e një bote më të mirë për të gjithë duke mbrojtur mjedisin, duke ndërtuar shtëpi me efikasitet energjetik prej dheu, duke përdorur gjithashtu materiale të riciklueshme dhe duke jetuar në harmoni me natyrën.